Kjo është e ashtuquajtura vitaminë liposoluble, e cila, ashtu si edhe vitaminat dhe minerale tjera, i përket grupit të mikronutrientëve të cilat duhet të futen në trup, por në sasi minimale, domethënë, trupi ynë nuk ka mundësi për sintezën e tyre endogjene.

Që nga viti 1929, studiuesi danez Henrik Dam dhe Edward Adelbert Doisy nga Universiteti i St. Lewis, duke punuar në mënyrë paralele deri në vitin 1939, zbuluan një molekulë e cila u pozicionua në kategorinë e vitaminave, ku fillimisht i është dhënë shkronja “K” pas publikimit të punës së tyre në një revistë shkencore gjermane, nga ku edhe u quajtë “Vitamina e koagulimit”. Këta dy shkencëtarë, në vitin 1943, e morrën Çmimin Nobel për Mjekësi për zbulimin e tyre. Por deri në vitin 1974, funksioni i saktë i vitaminës K nuk ishte i njohur deri në zbulimin e protrombinës, që është vitaminë K faktor i varur i koagulimit në tre laboratorë të pavarur nga Stenflo, Nelsestuen dhe Magnusson.

Zbulimet e sotme tregojnë për funksionin e mëposhtëm të rëndësishëm të vitaminës K në homeostazën trupore:

  • Koagulimi i gjakut: Merr pjesë në prodhimin e protrombinës (faktor II), faktorët e koagulimit VII, IX dhe X, si dhe proteinat C, S dhe Z
  • Merr pjesë në metabolizmin e eshtrave përmes osteokalcinit i njohur ndryshe si “proteina e Gla e eshtrave”, proteina Matrix Gla, periostin dhe proteina e pasur me Gla e zbuluar kohëve të fundit.
  • Funksionimin normal të enëve të gjakut përmes proteinës Gas6 që luan rol të rëndësishëm në shtimin e qelizave, por gjithashtu luan edhe rolin e hormonit, duke stimuluar beta qelizat në pankreas të lirojnë më shumë insulinë, ndërsa njëkohësisht stimulon qelizat e yndyrës që të lirojnë hormonin “adiponectin” i cili rrit ndjeshmërinë e insulinës.
  • Roli i proteinave të zbuluara së fundmi të pasura me prolin γ-carboxyglutamyl proteina (PRGPs) 1 dhe 2, proteinat intransmembranike γ-carboxy glutamyl (TMGs) 3 dhe 4, akoma nuk janë mjaftueshëm të njohura

Dihet se aktiviteti i faktorëve të koagulimit të “vitaminës K-të varur” në periudhën neonatale arrin maksimum prej 60% të vlerave normale tek të rriturit. Kjo kryesisht është për shkak të rezervave të vogla të vitaminës K te të sapolidurit dhe foshnjat që ushqehen me gji, për shkak të rezervave të vogla të fetusit, duke pasur parasysh faktin se vitamina K në sasi minimale kalon përmes placentës. Nga ana tjetër, ekziston një sintezë e vonuar e vitaminës K në zorrë, si dhe përqendrime dukshëm më të ulëta të vitaminës K në qumështin e njeriut, krahasuar me formulat e  qumështit.

Në qumështin e njeriut në 100 ml ka 0.1-0.2 mg  vitaminë K, ndërsa në formulat e qumështit për fëmijët varijon nga 5-20 mg. Nëse merren parasysh nevojat ditore që arrijnë deri në 25mg, është mjaft e pritshme e ashtuquajtura “hypoprothrombinemia fiziologjike” te të sapolindurit dhe foshnjat në tre muajt e parë të jetës, si dhe te foshnjat që ushqehen me qumësht gjiri.

Ndonjëherë hipoprothrombinemia e lartpërmendur arrin një shkallë ku nuk është e mundur të ruhet hemostaza spontane, dhe kështu paraqitet sëmundja hemorragjike e të porsalindurit. Kjo gjendje klinike është jashtëzakonisht e rëndësishme për shkak të morbiditetit, vdekshmërisë dhe pasojave të saj.

Mund të paraqitet shumë rrallë si sëmundje e hershme hemoragjike e të porsalindurit gjatë ditës së parë të jetës, zakonisht tek nënat që marrin antiepileptikë dhe shoqërohet nga gjakderdhjet e rënda dhe vdekjeprurëse në sistemin nervor qendror.

Kjo mund të paraqitet si sëmundje klasike hemorragjike tek i porsalinduri midis ditës së dytë deri në ditën e shtatë të jetës, edhe atë në 0.25-1.7 foshnja të sapolindura në 100 lindje. Hemoragjitë klinike shpesh nuk janë kërcënuese për jetën dhe mund të shfaqen në sistemin gastrointestinal, kërthizë, ose në vendin e injektimit tek fëmija i porsalindur.

Forma e tretë është sëmundja hemorragjike e vonuar e të porsalindurve, e cila paraqitet në 2-10 të porsalindur në 100.000 lindje. Në pak më shumë se 70% të rasteve, bëhet fjalë për hemorragji të rënda në sistemin nervor qendror me vdekshmëri të lartë, që arrin 50%.

Incidenca e lartë e formës klasike dhe pamjes klinike të sëmundjes hemorragjike të vonuar te të porsalindurit janë arsyet kryesore për aplikimin profilaktik të vitaminës K1 tek të gjithë të sapolindurit. Aplikimi profilaktik i vitaminës K u iniciua në Shtetet e Bashkuara në vitet e ’60 të shekullit të kaluar, kur Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandoi dhënien e injeksionit parenteral të vitaminës K1, si profilaksë të sëmundjes hemorragjike të të porsalindurit. Kjo qasje me aplikimin e 1 mg vitaminë K parenterale për foshnjat e lindura në kohë dhe 0.5 mg për foshnjat e lindura parakohe është pranuar nga shumica e vendeve në botë, përfshirë edhe vendin tonë.

Duke pasur parasysh se edhe përkundër aplikimit të vetëm të vitaminës K, mund të mbetet aktiviteti i ulët i vitaminës K faktorëve të varur të koagulimit dhe të zhvillohet sëmundja e vonshme hemorragjike e të porsalindurve, ku në një numër të madh vendesh është futur plotësimi shtesë me 25 mg vitaminë K. Një profilaksë e tillë orale është e paraqitur nga vendet evropiane si, Britania e Madhe, Holanda, Polonia, Italia, Franca, Serbia, por edhe në vendin tonë. Në Kanada, Zelandë të Re dhe Australi, profilaksia orale është paraqitur te ato fëmijë prindërit e të cilëve refuzojnë aplikimin intramuskular.

Rekomandimi aktual është që gjatë qëndrimit në maternitet të bëhet aplikimi intramuskular i vitaminës K1 menjëherë pas lindjes në një dozë prej 1 mg për foshnjat e lindura në kohë dhe 0.5 mg për foshnjat e lindura parakohe. Më pas të vazhdohet me profilaksën nga dita e 7-të deri në fund të muajit të tretë të jetës, duke futur 25mg vitaminë K1 çdo ditë edhe te fëmijët që ushqehen me gji. Te fëmijët që janë me ushqyerje artificiale nuk është e nevojshme, pasiqë në formula është e shtuar vitamina K. Profilaksa e vazhduar orale ka një rëndësi të madhe për foshnjat e lindura parakohe, të porsalindurit dhe foshnjat me verdhëz të rëndë dhe të zgjatur, por edhe te ato që është përdorur terapia antibiotike dhe antiepileptike, si tek fëmija ashtu edhe tek nëna.